Intervista e z. Fatmir Sulo mbi "Agro Leasing"

Fatmir Sulo, Drejtor i përgjithshëm i Albania Leasing në një intervistë për agroweb tregon një tjetër risi të ofruar nga kompania që ai drejton: Financimin Etik.

Financimi Etik

“Jemi shumë krenarë për financimin etik, që është ndër vlerat themelore të Albania Leasing”, thotë Z.Sulo ndërsa nuk e fsheh kënaqësinë që është pikërisht kompania e tij që ka futur këtë koncept të ri në Shqipëri në mbështetje të klientit. “No pain, no gain” (S’ka fitim pa risk) thotë ai.

Financimi etik bazohet mbi marrjen e risqeve në mënyrë të përbashkët. Albania Leasing e mbështet klientin gjatë gjithë kohës së kontratës, në rastin e dëmtimit pjesor apo total të mjeteve si edhe në rastin e risqeve të tjera potenciale. Po ashtu nuk ka penalitete për sa i përket kostove shtesë si për vonesat në pagesat për siguracionet etj. Pagesa e këstit mbetet i njëjtë gjatë gjithë afatit të kontratës, pavarësisht ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare të euribor-i etj.Transparenca me klientin është një tjetër vlerë që thekson zoti Sulo, ndërsa shpjegon se financimet e ofruara nuk kanë kosto të fshehura.

Agro Leasing - sfidat në tregun shqiptar

Qeraja financiare në Shqipëri njihet më së shumti për tregun e autoveturave. Por, në fakt, lizing është produkt financiar i shtrirë në gjithçka, mjafton që aseti të ketë numër unik, pra të jetë i identifikuar pikërisht si aseti i financuar dhe të ketë treg sekondar të matshëm, pra ku kompania të mund ta rishesë në rast të mosshlyerjes së detyrimeve.

Në tregun bujqësor janë të njohura financimet për bujqësinë apo kreditë për bujqësinë por deri më sot askush nuk kishte prezantuar një produkt të qerasë financiare. Zoti Sulo thekson se përmes lizingut që ofron kjo kompani i është dhënë shumë hapësirë në kohë për financimin e pajisjeve dhe makinerive bujqësore dhe agro përpunimit. Sa më e gjatë koha e shlyerjes së financimin aq më i vogël kësti mujor, thotë ai, ndërsa shton se “Kemi gjithashtu mundësinë për të bërë pagesa sezonale, pra pagesa në sezone më të përshtatshme për fermerin apo agropërpunuesin.

Gjithçka dedikuar fermerëve sipas kërkesave dhe kushteve të tij. Për makineritë dhe linjat e përpunimit afatet shkojnë nga 2 deri në 7 vjet. Për tokat koha e shlyerjes është më e gjatë, deri në 8 vjet. Lidhur me qeranë financiare për tokat, zoti Sulo shpjegon se në këtë rast trajtohen vetëm tokat që kanë rëndësi financiare, pra që kanë një sipërfaqe të madhe dhe peshë ekonomike. Gjithçka do të shihet e dedikuar rast pas rasti dhe për secilin nga klientët do të gjendet mënyra e pagesës, kohëzgjatja etj.

Partneriteti me AgroKapital

Albania Leasing është një institucion i ri me qendër në Tiranë por që parashikon shtrirje me degë rajonale së paku në Fier që t’i shërbejë edhe Vlorës e Lushnjës, në Korcë që t’i shërbejë edhe Pogradecit si dhe në Shkodër për t’i shërbyer edhe Lezhës. Për këtë zoti Sulo vlerëson bashkëpunimin me projektin AgroKapital financuar nga USAID zbatuar nga organizata e konsulencës CBS.

“AgroKapitali ka një rreth të gjerë klientësh e bashkëpunëtorësh në fushën e bujqësisë dhe ka një ekspertizë të thellë në fushën e financimit të sektorit bujqësor”, thotë ai. Ne vlerësojmë shumë mendimin e profesional dhe të specifikuar të ekspertëve të CBS. Pikat kryesore të bashkëpunimit me AgroKapitalin, janë rrjeti i partnerëve dhe klientëve të tij, ekspertiza, profesionalizmi, njohuritë dhe sigurisht referimi i klientëve.

Për Albania Leasing tri janë pengesat në tregun e bujqësisë shqiptare për lizing; bujqësia informale, parcelizimi në ferma të vogla dhe mungesa e tregut të qendrave të grumbullimit dhe shpërndarjes.

Po pse një fermer apo agropërpunues duhet të zgjedhë qeranë financiare për pajisjet e tij bujqësore? Fatmir Sulo argumenton përgjigjen e tij me renditjen e avantazheve: Fleksibilitet në kushtet e shlyerjes së detyrimit financiar dhe kohëzgjatjes, nuk kërkohet garanci shtesë, pra kolateral dhe mbi të gjitha i dedikohet çdo klienti në mënyrë të personalizuar për menaxhim më të mirë të kapitalit të tij qarkullues.

Furnizuesit e mjeteve bujqësore janë shumë të prirur për të bashkëpunuar shprehet i bindur ai ndërsa garnaton se kompania e tij është gati dhe në kohë për të ndërtuar marrëdhëniet bashkëpunimit me fermerët dhe agrobizneset në prag të hapjes së aplikimeve të këtij viti për grantet e Skemave Kombëtare dhe fondeve të BE-së përmes IPARD.

 
 

 

+355 4 4500 394    |    office@albanialeasing.com